
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është i bindur se mes partnerëve të koalicionit qeverisës nuk ka përçarje. Shefi i qeverisë së Prishtinës thotë se nuk e shikon të nevojshme të ndodhë një gjë e tillë, pasi po punon që dialogu me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke.
“Dialogu po shkon përpara në përputhje me platformën e Qeverisë. Dje kam informuar edhe Kuvendin dhe për mendimin tim qëndrimi i përgjithshëm ishte që dialogu nuk ka alternative, por dialogu duhet të jetë i fokusuar ashtu siç po bëjmë ne, në marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke”, tha Hoti.
Komentet e tij erdhën pas deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë u shpreh kundër qasjes së Hotit për dialogun me Serbinë. Madje, paralajmëroi se nëse vazhdon në këtë drejtim, nuk do ta kishte përkrahjen e AAK-së si partner i koalicionit. (A2 Televizion)