Kriza e Ferrarit, ish-kreu i F1 gjen fajtorët

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 12:39 | Sporte të tjera
Kriza e Ferrarit, ish-kreu i F1 gjen fajtorët

Bernie Ecclestone, ish-kreu i F1, e ka fare të qartë se kush janë fajtorët e krizës që po kalon Ferrari. Marka italiane sapo mbylli një nga sezonet më të këqija në historinë e saj, ndërkohë që titullin e fundit kampion për pilotë e ka fituar me Kimi Raikkonen, në vitin e largët 2007.

Në deklarata për “La Stampa”, 90-vjeçari u shpreh: “Nuk dua të ofendoj, por gjithmonë kam besuar që problemi i Ferrarit janë italianët. Të gjithë duan të jenë shefa, dhe të gjithë kanë idetë e veta. Nuk po them që ekipi duhet të jetë pa italianë, por duhet të kenë edhe gjermanë, francezë apo anglezë. Skuadra duhet të ketë njerëz që mendojnë ndryshe”.

Ecclestone e mbron teorinë e vet me një shembull nga viti 1993: “Ajo që ndodhi me Jean Todt ishte emblematike. Italianët nuk e donin, por unë i binda që ta merrnin dhe gjithçka shkoi mirë”.

Sipas tij, Ferrari ka nevojë për një shef që të vendosë personat e duhur, në vendin e duhur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos