
Jemi në zemër të pandemisë dhe gati në fund të vitit kalendarik, por për paratë që qarkullojnë ndoshta nuk ka kurrfarë pengese për të bërë bilancet pavarësisht se në çfarë momenti ndodhemi.
Për të folur për këto zhvillime, konkretisht për tërmetin dhe pandeminë, se si kanë ndikuar në ekonominë shqiptare, ishte e ftuar në A2 kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi.
“Të dëmtuarit e tërmetit po marrin paratë e restaurimeve”
“Të gjitha ata banorë që kanë pasur dëmtime në banesa kanë nisur të marrin rimbursimet që u shkaktoi tërmeti, kjo po shpërndahet atje ku janë evidenduar dëmet. Nga ana tjetër po bëhen planet e rindërtimit. Po fillon ndërtimi për pallate që janë më shumë se 3-4 kate, që shoqërohen edhe me struktura të nevojshme për komunitetin. Marrja e parave në dorë nga familjet po tregon inicimin e parave në treg sepse familjet do të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Ka raste kur në rindërtim do të hyjnë edhe investimet e huaja. Tërmeti e ka zgjidhur këtë situatë në këtë formë për risjelljen e parave në ekonomi dhe ky proces ka filluar”.
“Një vëmendje të madhe do të marrë edhe shëndetësia”
“Ka dy paketa të pandemisë, të cilat sollën pagesat e pagave nga bizneset për punëtorët. Bashkë me këtë për bizneset u mëndua edhe garancia sovrane. Paketa e rimëkëmbjes ka disa gjëra që janë iniciuar. Një nga nismat është heqja e tatimfitimit për biznesin që ka xhiro 0-14 milionë. Kjo është një ndihmë e madhe për kompanitë që operojnë në këtë fashë të ardhurash. Nga ana tjetër, kjo skemë lidhet shumë edhe me rimëkëmbjen që duhet t’i bëhet ekonomisë, ku në qendër të saj është rindërtimi, por edhe çuarja përpara e reformave të nisura deri tani. Një vëmendje të madhe do të marrë edhe shëndetësia, pasi tani është një fakt që shëndetësia është një nga ata sektorë që duhet t’i përgjigjet emergjencës. Pandemia tregoi se duhet të bëhemi gati që t’i përgjigjemi nevojave në këtë sektor. Ne ishim nja nga vendet që iu përgjigjëm shpejt pandemisë, krijuam sistemin se si të reagojmë kur kemi emergjenca të tilla”. (A2 Televizion)