
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga të gjitha partitë politike që të mos bëjnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se do të pranojë çdo vendim të këtij institucioni lidhur me dekretin për mandatimin e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti.
“Presidenca ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese argumentet për dekretin e mandatimit të Avdullah Hotit. Qenësore për demokracinë e Kosovës është që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur pa presion nga e cila do palë. Askush nuk mund ta bllokojë vendin dhe institucionet e shtetit. Për këtë arsyeje ftoj që të gjithë të kontribuojnë në formësimin e institucioneve”, u shpreh Hashim Thaçi, president i Kosovës.
Thaçi kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe qeveria e tij që të japë shpjegime për dy çështje që kanë nxitur polemika në vend. “Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojnë çështjen e rrezikut të jetës për zotin Pacolli, që i kanosej gjatë fluturimit të tij për Prishtinë. Dhe pse Pacolli ka devijuar fluturimin në drejtim të Tiranës, sikurse ka edhe përgjegjësi morale, politike dhe ligjore të japin grupi i Kurtit dhe Vitia, dhe gjithashtu edhe Sveçla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet, sikurse për seleksionimin politik se kush duhet të karantinoret dhe kush jo”.
Ndër të tjera, presidenti bëri thirrje që të ndalen tonet e armiqësisë në skenën politike të Kosovës dhe kërkoi nga zyra e Albin Kurtit që të përmirësojë nivelin e ulët të bashkëpunimit me Shqipërinë. (A2 Televizion)