
Gjermania vijon të jetë tejet e shqetësuar për krizën politike në Shqipëri.
Deputeti i Unionit Kristiandemokrat, Mark Hauptmann, ka publikuar një letër drejtuar forcave politike në vendin tonë, në të cilën i bën thirrje qeverisë dhe opozitës që të dialogojnë dhe të bëjnë kompromis për hir të së ardhmes evropiane.
Ai thekson se “nuk është e zakonshme për Gjermaninë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, prandaj nuk mund të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur”.
Reagimi i deputetit gjerman Mark Hauptmann:
“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qënë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik.
Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur.
De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar.” (A2 Televizion)