
Diskutimet online mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin për çështjen e Ukrainës duket se kanë qenë të frytshme.
Këtë gjë e konfirmoi dhe kreu i Kremlinit, Vladimir Putin në një konferencë për shtyp, një ditë pas mbajtjes së telekonferencës që zgjati për më shumë se dy orë.
Putin u shpreh se Rusia brenda javës do të dërgojë në Uashington propozimet e saj për zgjidhjen e situatës së tensionuar me Ukrainën, e cila prej disa kohësh është përshkallëzuar në pikën më superiore, sa të dyja vendet kanë dislokuar mijëra ushtarë në të dy anët e kufirit.
Lideri rus tregoi për gazetarët se bisedimet ishin të hapura dhe konstruktive dhe gjëja kryesore është se iu la hapësirë mundësisë për vijimin e dialogut.
“Ne nuk mund të mos shqetësohemi për perspektivën e mundshëm të Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO, sepse kjo padyshim do të pasohet nga vendosja e kontingjenteve ushtarake, bazave dhe armëve që na kërcënojnë”, tha ai.
Megjithatë, Putin deklaroi se akuzat se Rusia po planifikon të sulmojë Ukrainën janë provokative. (A2 Televizion)