Kriza ushqimore globale, Putin: Zhbllokojmë grurin nëse hiqni sanksionet

Nga A2 CNN
27 Maj 2022, 09:53 | Bota
Kriza ushqimore globale, Putin: Zhbllokojmë grurin nëse hiqni

Rusia kërkon heqjen e sanksioneve të Perëndimit në këmbim të bashkëpunimit për të lehtësuar krizën ushqimore ndërkombëtare.

Mbi 20 milionë tonë grurë është bllokuar në portet ukrainase që kur Moska dërgoi trupat në shtetin fqinj. Duke qenë se Rusia dhe Ukraina eksportojnë gati 1/3 e grurit global, bllokada po kontribuon në një krizë globale ushqimore. Çështja ishte në fokus të një telefonate mes kryeministrit italian, Mario Draghi dhe numrit një të Kremlinit, ditën e enjte.

Në një konferencë, Draghi tha se telefonata u zhvillua me iniciativë të tij: “Ai më tha se kriza ushqimore është pasojë e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi vendi i tij nuk mund të eksportojë grurë, kështu që nëse sanksionet hiqen, Rusia mund të eksportojë të gjithë grurin që dëshiron”.

Putin foli gjithashtu për hapat e ndërmarra për të mundësuar sigurinë e lundrimit, përfshirë hapjen ditore të korridoreve humanitare për largimin e anijeve me civilë nga portet në Detin e Zi dhe Azov, që siç tha, po pengohen nga pala ukrainase: “Putin më tha se portet janë të bllokuara pasi janë minuar nga ukrainasit. Natyrisht, ata e kanë bërë për të parandaluar sulmet nga luftanijet ruse, kështu që nevojitet bashkëpunim për zhvendosjen e minave nga njëra anë dhe garancive se nuk do të ketë sulme gjatë këtij procesi”. 

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, e cilësoi si shantazhim ofertën e Rusisë për të hequr bllokadën në portet e Detit të Zi, në këmbim të heqjes së sanksioneve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos