Ndërsa volejbolli shqiptar nuk zhvillon prej muajit mars asnjë aktivitet për shkak të ndalimit të ushtrimit të sportit në ambiente të mbyllura, klubi i Erzenit mundi të sigurojë të ardhurat e nevojshme dhe të përgatitet me vështirësi për të përfaqësuar vendin në eliminatoret e Champions League.
Skuadra shijakase ka udhëtuar drejt Kroacisë për të zhvilluar ndeshjet e para në grupin e saj, ku ndodhen edhe dy skuadrat rivale, Mladost i Zagrebit dhe skuadra hungareze Fino Kaposhvar.
Vështirësitë dhe vuajtjet në udhëtim të Erzenit, i cili u detyrua të kthehej në Malin e Zi, për të kryer tamponët, pasi shteti kroat nuk iu njohu testimet serologjike, duket se janë shpërblyer.
Kundërshtarët kroatë të Mladostit kanë rezultuar me lojtarë të prekur nga Covid-19 gjatë testimeve dhe si rrjedhojë janë skualifikuar nga Federata Evropiane e Volejbollit.

Kjo ka bërë që të rriten shanset e një kualifikimi të mundshëm për skuadrën shqiptare që gjithsesi do të ketë konkurrencë të fortë për vendin e parë që të dërgon më tej, kundër hungarezëve të Kaposhvarit.
Pikët nga largimi i skuadrës kroate i janë ndarë dy ekipeve të mbetura për të cilat do të ndryshojë edhe rregullorja e kualifikimit. Mes Erzenit dhe Fino Kaposhvar do të kualifikohet skuadra që fiton 2 nga 2 takimet që do të luhen dhe në rast barazimi, skuadrat do të zhvillojnë një set shtesë për të përcaktuar fituesin.
Ndeshja e parë do të luhet këtë të mërkurë në Zagreb në orën 20:30, ndërsa takimi i dytë dhe vendimtar për kualifikimin do të zhvillohet më 29 shtator në Hungari. (A2 Televizion)