Kryeministri bullgar: Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin francez, të zgjedhë rrugën europiane

Nga A2 CNN
11 Korrik 2022, 10:12 | Ballkani
Kryeministri bullgar: Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin

Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov, e cilësoi propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut si jashtëzakonisht të mirë për Sofjen. Në një intervistë për televizionin bullgar, BTV ai tha se për momentin Shkupi e ka shumë te vështirë të pranojë ato pozicione”, por sipas tij “duhet ta bëjë dhe të zgjedhë rrugën evropiane”.

Petkov theksoi se do të ishte e tmerrshme nëse Shqipëria vazhdon procesin e anëtarësimit në BE dhe Maqedonia e Veriut mbetet jashtë. “Në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojnë se nëse duan të zhvillohen, rruga evropiane është e vetmja rrugë për atë vend”, tha Petkov.

Propozimi francez për zhbllokimin e negociatave me BE-në pritet të shqyrtohet këtë javë nga deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Por që prej publikimit të tekstit në faqen online të qeverisë, Shkupi është përfshirë nga protestat e dhunshme, nën sloganin “Stop bullgarizimit të Maqedonisë!”. Protestat po mbështeten nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, të cilat e vlerësojnë propozimin si të dëmshëm për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos