
Në Maqedoninë e Veriut vijojnë protestat kundër propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë. Të organizuar nga VMRO-DPMNE në opozitë, qytetarë të shumtë pritet që sot të dalin në rrugë dhe të bllokojnë akse dhe sheshe të ndryshme në mbarë vendin.
“Bllokadat do të fillojnë në orën 13:00, do ta bllokojmë gjithë Maqedoninë derisa deputetët tanë trima luftojnë në Kuvend për interesat tona në mbrojtje të gjuhës, popullit dhe shtetit maqedonas”, njoftoi një zyrtar i kësaj partie opozitare. Ndërkohë, ashtu si në ditët e kaluara edhe mbrëmë pati sërish protesta në Shkup. Por manifestimi ishte më i qetë dhe nuk u shënuan raste dhune apo trazira. Sakaq, propozimi francez ka mbërritur në kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe pritet caktimi i një seance për shqyrtimin e tij.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, tha se të hënën do të vendoset lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi për zhvillimet e fundit duke theksuar se respekton të drejtën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të protestuar dhe dënoi skenat e dhunës dhe trazirat. (A2 Televizion)