
Edhe pse kjo e hënë ishte pushim zyrtar për administratën nuk mund të thuhet kështu për protestën e studentëve, të cilët në ditën e 6 të tubimit të tyre u mblodhën sërish para Ministrisë së Arsimit.
E njëjta gjë edhe për Kryeministrin Rama i cili nga zyra e tij tentoi të komunikojë me protestuesit nëpërmjet rrjeteve sociale. Në lidhjen online e cila zgjati për dy orë kreu i qeverisë kërkoi sërish dialog.
“Po si ta zgjidhim këtë, me televizor? Domethënë të dal unë të bëj një listë, pastaj të pres çfarë do t’ju sugjeroj juve Luli (Lulzim Basha, PD), Monika (Kryemadhi, LSI) apo ai Qori (Arlind Qori, Organizata Politike). Nuk është e mundur”.
Edi Rama, Kryeministër
Por studentët nuk kërkojnë dialog, ata presin plotësimin e 8 kërkesave të tyre që nga përgjysmimi i tarifës së studimeve, dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë si dhe kartën studentore.
“Doja t’i bëja thirrje që ne nuk kemi nevojë për dialog, duam vetëm plotësimin e tetë kërkesave dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë”, shprehet një studente.
Si çdo ditë mes tyre kishte dhe pedagogë.
“Çfarë ka për t’u negociuar me këto kërkesa? Cila është negociata që duhet të bëhet me këta?”
Rezart Prifti, pedagog, Fakulteti i Ekonomisë.
Grumbullimi i studentëve të Tiranës, por jo vetëm, nisi nga sheshi "Nënë Tereza" drejt dyerve të Ministrisë së Arsimit.
Pavarësisht se kryeministri ofroi më shumë se pikat e kërkuara, studentët u shprehen prerazi se nuk do të ketë dialog. (A2 Televizion)