
Me anë të një deklarate të përbashkët për mediat, Ambasada Amerikane, por edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri bëjnë thirrje që KLGJ dhe KLP duhen ngritur këtë javë.
“Ne i bëjmë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces të lirë dhe transparent zgjedhor për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ngritja e vazhdueshme e institucioneve të reformës në drejtësi duhet ruajtur dhe konfirmuar këtë javë. Kjo është mundësia që gjykatësit dhe prokurorët t’i japin kontribut dhe formë sistemit shqiptar të drejtësisë, për të ardhmen dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve. Ne presim që ata të tregojnë se kanë zotërim dhe përgjegjësi në krijimin e këtyre institucioneve jetike”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Gjithashtu theksohet se një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe profesional do të jetë jo vetëm në dobinë e qytetarëve shqiptarë, por edhe në interesin e pastër të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.
“Ruajtja e këtij progresi, sidomos nëpërmjet krijimit të strukturave gjyqësore të pavarura të parashikuara në reformën Kushtetuese, është një hap thelbësor drejt rrugës së çeljes së negociatave me Bashkimin Europian në qershor 2019”, mbyllet deklarata. (A2 Televizion)