Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim ditën e martë me deputetë të qarqeve të ndryshme, me të cilët bisedoi për situatën e krijuar ditët e fundit me pandeminë e koronavirusit.
Kreu i qeverisë iu kërkoi deputetëve të qëndrojnë pranë banorëve të zonave të tyre në këto momente të vështira pandemie, ku ditët e fundit është regjistruar një rritje e ndjeshme e personave të prekur me koronavirus.
Për sa i përket zhvillimeve politike dhe në veçanti reformës zgjedhore, kreu i PS, njëkohësisht dhe kryeministri i vendit tha se personalisht nuk beson te listat e hapura, por për këtë gjë duhet rënë dakord dhe me opozitën parlamentare.
“Unë nuk besoj te listat e hapura. Por ky është mendimi im personal. Këtë do ta diskutojmë në parlament. Ndryshimet në kod dhe sistem nuk i bëjmë dot vetëm. Duhen votat e opozitarëve”, tha Edi Rama. (A2 Televizion)