
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, viziton Kosovën. Nga Mitrovica e Veriut, ajo kushtëzoi marrëveshjen e mundshme përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës me themelimin e asociacionit të komunave serbe. Brnabiç përsëriti pretendimin se Kosova është palë penguese në dialog dhe kërkoi që të angazhohet më shumë për të arritur zgjidhje dhe ujdi.
“Themelimi i bashkësisë së komunave serbe është baza e marrëveshjes së Brukselit, të marrëveshjes së parë për normalizim dhe derisa të mos e kemi asociacionin e komunave serbe është e pamundur të diskutohet në marrëveshjen e dytë për normalizim”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është i guximshëm në gjetjen e kompromiseve për Serbët e Kosovës, në një përgjigje të tërthortë edhe për Gjermaninë dhe Francën.
“Vuçiç është mjaft i guximshëm dhe mjaftueshëm përgjegjës që të përpiqet të gjejë kompromise për të garantuar një lloj sigurie për serbët në Kosovë. Është një dialog i rëndësishëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe për këtë kemi qenë gjithmonë të gatshëm për bisedime”, tha Brnabiç.
Përveç Mitrovicës së Veriut, pikë ndalese për delegacionin serb është dhe Leposaviçi dhe Zveçani. Kryeministren Brnabiç e shoqëron drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili gjatë fjalës së tij përdori dhe këtë fjali: “Mirëseerdhe në Kosovën tonë”. Sakaq, raportohet nga mediat në Kosovë se Brnabiç refuzoi ta konsiderojë pikë kufitare doganën në të cilën kaloi për të hyrë në Kosovë. (A2 Televizion)