Kryengritja e Prigozhin, Shoigu zbret në terren, vriten 950 ushtarë rusë në 24 orë

Nga A2 CNN
26 Qershor 2023, 08:16 | Bota
Kryengritja e Prigozhin, Shoigu zbret në terren, vriten 950 ushtarë

Kina ripërsëriti qëndrimin e saj për Rusinë, pas kryengritjes afatshkurtër të grupit paraushtarak Wagner të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, që solli dhe rrethimin e Moskës për arsye sigurie.

Ndonëse e kujdesshme në deklarata, Ministria e Jashtme në Pekin i komentoi pamjet dramatike të fundjavës në Rusi, si një çështje e saj e brendshme.

Ndërkohë që situata vijon të jetë e tensionuar dhe e paqartë dhe në radhët e ushtrisë ruse. Për këtë arsye, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është filmuar, së fundmi, duke vizituar trupat në vijën e frontit në Ukrainë.

Kjo ishte shfaqja e parë publike e Shoigu, pas rebelimit të Wagner, shefi i të cilit e akuzon ministrin për disfatat e njëpasnjëshme të ushtrisë ruse.

Ukraina nga ana e saj i bën jehonë fitoreve të vogla, pas nisjes së kundërofensivës për marrjen e territoreve të pushtuara.

Në një komunikatë për mediat, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, bën me dije se 950 ushtarë rusë janë vrarë, gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar mbi 225 mijë totalin e fataliteteve në radhët e ushtrisë së Putin që nga nisja e operacionit special ushtarak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos