7 ligjet që sipas marrëveshjes së 5 qershorit do të shoqëronin ndryshimin në Kodin Zgjedhor, u bënë pjesë e punimeve të Kuvendit, por për to ende nuk ka një datë kur do të fillojnë shqyrtimin në komisione e më pas do të votohen në seancë.
Nismat e demokratëve për përmirësimin e legjislacionit kundër krimit zgjedhor u dakordësuan në Këshillin Politik, por tashmë të depozituara me firmat e socialistëve Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Alket Hyseni për të hyrë në procedurë parlamentare, rreth dy muaj me vonesë.
Në kompetencën e SPAK, shtohet hetimi i veprave penale “ Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik për zgjedhje”, pas ndryshimeve që Adnor Shameti propozon t’i bëhen kodit penal.
Dhe “ekskluziviteti” i hetimit dhe zbardhjes së çështjeve që do të hapen për këto vepra i takon drejtuesit të SPAK. Të paktën sipas amendamenteve që deputeti tjetër i PS, Alket Hyseni sugjeron të bëhen në ligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2016 “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Një tjetër ndërhyrje drastike bëhet në mënyrën sesi menaxhohen zgjedhjet. Ajo ka të bëjë me heqjen e “imunitetit” që deri më tani kanë pasur anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Të njerëzit e drejtësisë që hetojnë apo marrin vendime në lidhje me zgjedhjet do t’i kenë këto çështje pjesë të vlerësimit nga KLGJ e KLP.
Kjo sipas ndryshimeve që deputetja Klotilda Bushka ka firmosur për amendimin e ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Megjithatë të gjitha këto ndërhyrje ligjore janë të dakordësuara në këshillin politik me opozitën jashtëparlamentare, por për efekt procedure parlamentare figurojnë si nisma deputetësh të mazhorancës.
7 ligjet u futën në procedurë parlamentare pas rikthimit të ambasadorëve me apelin për zbatimin e marrëveshjes së Këshillit Politik më 5 qershor. "Më në fund paketa e dytë me 7 ligje që u miratua nga Këshilli Politik me konsensus në korrik, gjeti dritën e diellit në Kuvend edhe pse përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik kishte deklaruar që më 27 korrik se ato ishin depozituar në Kuvend në përputhje me Marrëveshjen e 5 qershorit. Përgjatë dy muajve asnjë prej këtyre ligjeve nuk u përfshi në programin e punës së Kuvendit, duke shkelur marrëveshjen e 14 janarit dhe atë të 5 qershorit", deklaroi përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.
"Ato ligje sot duhej të ishin miratuar e të ishin në fuqi, por Edi Ramës nuk i intereson goditja e krimit zgjedhor. Atij i intereson të ndryshojë rregullat konsensuale të lojës, jo të miratojë rregulla që i lidhin duart më 25 prill 2021 dhe kriminelët t'i përdorë në zgjedhje", shtoi Bylykbashi. (A2 Televizion)