Kualifikueset e Katar 2022, Gjimshiti mungon ndaj Anglisë, Reja lë jashtë Manajn e Balliun

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2021, 12:46 | Futboll

Një mungesë e detyruar dhe një dy për zgjedhje teknike. Shqipëria do të luajë ndaj Anglisë në Wembley pa dy titullarë. Edhe pse u rikthye në fushë, ku u aktivizua nga stoli në Champions përballë Manchester United, Berat Gjimshiti nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares.

Pas dëmtimit me kuqezinjtë në sfidën e tetorit ndaj Hungarisë, ku pësoi frakturë në krah, shtylla e mbrojtjes nuk do të jetë në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit 2022. Jashtë skuadrës, trajneri Reja ka lënë edhe një tjetër titullar.

Rey Manaj nuk u grumbullua për arsye teknike. Në javët e fundit, sulmuesi nuk po gjen hapësira të mjaftueshme te Spezia në Serie A. Kjo ka bërë që drejtuesi i stolit të Kombëtares ta lënë pushim dhe ti besojë emrave të tjerë të repartit ofensivë, nga Cikalleshi te Uzuni e Broja, teksa rikthehet edhe Bekim Balaj.

Një tjetër zgjedhje e Rejas ishte lënia jashtë skuadrës e Ivan Balliut. Mbrojtësi që po shkëlqen te Rayo Vallecano në La Liga, luajti si zëvendësues në fitoren në Hungari, teksa mungoi kundër Polonisë, pasi doli pozitiv me Covid. Trajneri e ktheu në Kombëtare pas dy vjetëve mungesë, por tashmë Balliu nuk u preferua.

Në vend të tij, mes 24 futbollistëve kuqezi të grumbulluar është Albi Doka, teksa i gatshëm është edhe mesfushori Qazim Laçi, që është rikuperuar. Shqipëria e nis grumbullimin të hënën në Durrës. Më 12 nëntor kuqezinjtë luajnë transfertën me Anglinë dhe më 15 nëntor mbyllin rrugëtimin drejt Katar 2022 me ndeshjen kundër Andorras në Arenën Kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos