
Teoria e ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës ka shqetësuar edhe Slloveninë. Në vizitën e tij zyrtare në Shqipëri, presidenti slloven, Borut Pahor shprehu mbështetjen që Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në BE në mënyrë që çështja e kufijve të mos shkaktojnë trazira.
“Nuk duhet të kenë parasysh vetëm shtetin e posaçëm ku negociohet, por të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me këtë qasje, do të zvogëlohej rëndësia e debatimit të ri të ndryshimit të kufijve në Ballkan, ku sipas këndvështrimit tim, ky proces nuk mund të përfundoj në mënyrë paqësore. Me anëtarësimin në BE, kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishme dhe nuk ka nevojë për ndryshimin e tyre. Dimë nga përvoja se ndryshimi i tyre në këtë pjesë të Europës nuk zhvillohen pa flijime”. Deklaroi presidenti Pahor.
Sllovenia do të marrë drejtimin e Presidencës së radhës të Bashkimit Europian, ku për presidentin Meta, është një oguri i mirë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
“E falënderoj edhe një herë presidentin Pahor për përpjekjet e tij dhe të Sllovenisë për të nxitur BE për një qasja sa më të shpejtë gjeopolitike për anëtarësimin e gjithë rajonit tonë”, ishin fjalët e Metës pas takimit.
Presidenti i Sllovenisë ndodhet në Tiranë në kuadër të organizimit të takimit të radhës të Brdo-Brijunit mes Sllovenisë dhe gjashtë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. (A2 Televizion)