
Kufizimet e plota të udhëtimeve nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi dhjetëra shtete kanë bllokuar udhëtimet nga Afrika Jugore.
Në udhëzimet e publikuara më 30 nëntor, OBSH-ja kërkoi një reagim të përmbajtur dhe të koordinuar ndërkombëtar, duke u bërë thirrje shteteve të praktikojnë masa të bazuara tek të dhënat, duke përfshirë testimin e pasagjerëve dhe karantinimin.
Kufizimet e plota nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit Omicron dhe ato rëndojnë jetët tona. Masat ndëshkojnë padrejtësisht Afrikën e Jugut, pse u tregua transparente për urgjencën e variantit të ri.
OBSH
Megjithatë, organizata u bëri thirrje personave të pavaksinuar, të cilët janë më vulnerabël ndaj Covid-19, përfshirë ata mbi 60 vjeç, të shtyjnë planet për të udhëtuar në zonat me transmetim të virusit.
Personat që nuk janë plotësisht të vaksinuar apo që nuk kanë provë të infektimit të mëparshëm me Sars-CoV-2 dhe rrezikohen të preken nga sëmundja e rëndë, përfshirë ata mbi 60 vjeç ose me probleme shëndetësore, këshillohen të mos udhëtojnë në zonat me transmetim komunitar.
OBSH
Sipas ekspertëve europianë dhe afrikano-jugor, personat e prekur me variantin e ri kanë shfaqur simptoma të lehta deri më tani, por evoluimi i situatës mbetet i pasigurt. Drejtoresha e Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Andrea Ammon, tha se rreth 48 raste me variantin Omicron ishin raportuar në 10 shtete të BE-së dhe shumica e tyre kishin historik të udhëtimeve nga shtetet afrikane. Pacientët në Europë, sipas Ammon, kishin shfaqur vetëm simptoma të lehta, ose ishin asimtomatik dhe deri më tani nuk janë vërejtur raste të rënda. (A2 Televizion)