Kufizimi i lëvizjeve, para orës 13:00 njerëzit u dyndën nëpër dyqane

Nga A2 CNN
21 Mars 2020, 14:00 | Aktualitet

Kufizimi i lëvizjeve deri në orën 13:00 të ditës së shtunë dhe paralajmërimi i autoriteteve për mbyllje të të gjithë pikave të shitjes deri të hënën në orën 5:00 ka bërë që qindra qytetarë në Tiranë të dynden në pikat e shitjeve, sidomos ato të mallrave ushqimore.

Në shumë raste ata nuk ruanin as distancën e këshilluar nga njëri-tjetri dhe numri i njerëzve në rrugë rritej me afrimin e orës 13:00. Më pas rrugët u boshatisën, me fare pak njerëz që nxitonin të mbylleshin nëpër shtëpi, ndërsa Policia ka ndaluar në disa pika makinat që kanë shkelur urdhrin e ndalimit të qarkullimit pas kësaj ore.

https://youtu.be/xxbv07rzm5s

Gjatë gjithë fundjavës, e gjithë Shqipëria do të jetë e izoluar si përgjigje e rrezikut të përhapjes së koronavirusit në vend. Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se në rrugë do të jetë vetëm Policia dhe Ushtria, njësitë kritike të shërbimeve dhe kompanitë mediatike.

Fasha orare e lëvizjeve, 5:00-13:00 do të vazhdojë të zbatohet, të paktën sipas udhëzimeve të deritanishme, edhe gjatë javës së vjen. Vetëm në këtë orar do të jenë hapur dyqanet e ushqimeve, bankat dhe farmacitë, ndryshe nga deri më tani që kanë qëndruar hapur gjithë kohën. Ky 8-orësh do jetë edhe orari i punës së administratës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos