Kukës, apeli për transportin publik: Shteti të mbrojë të licensuarit nga informalët

Nga A2 CNN
10 Qershor 2020, 12:47 | Aktualitet

Pas më shumë se 3 muaj i mbyllur, me 15 qershor parashikohet të hapet transporti publik, qytetas dhe ndërqytetës .

Ky vendim është pritur me padurim veçanërisht në qytetet e largëta me kryeqytetin, ku mundësia e qytetarëve për të ardhur drejt Tiranës është vetëm transporti publik me autobusë.

Por masat që dikton situata e pandemisë Covid-19, pritet të reflektohet edhe në shërbimin ndaj qytetarëve. E ndërsa drejtuesit e kompanive të transportit publik në Kukës premtojnë se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës edhe pse do të punojnë me 70 përqind të kapacitetit të udhëtarëve, ata kërkojnë ndihmën e shtetit për t’i përkrahur dhe luftuar konkurrencën e pandershme, e cila ka lulëzuar gjatë periudhës së bllokimit.

Sadri Laçi, drejtues i SHTPU në Kukës

 “Biletat nuk do të lëvizin, autobusët janë të dezinfektuar, fatorino do të jetë me doreza dhe maska. Në periudhën kur kemi qenë të mbyllur, furgonat dhe taksitë kanë punuar me 20 mijë lekë të vjetra për çdo person që shkon në kryeqytet. Kjo gjë jo vetëm është e paligjshme, por ka edhe një kosto vërtet të tepërt. Shpresojmë që policia të merret me këtë problem”, thotë Sadri Laçi, drejtues i SHTPU në Kukës.   

Drejtuesit e kompanive të transportit publik edhe pse druhen se fluksi i udhëtarëve do të jetë më i lartë se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mundësi që të shtojnë mjete, pasi janë në pamundësi financiare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos