
Mirela Kumbaro, deputetja e PS, ishte e ftuar në “Dita Jonë” ku foli mbi situatën politike në vend.
Ish-ministrja e Kulturës u shpreh se e gjithë kriza në vend ka ardhur si pasojë e heqjes dorë nga mandatet nga ana e opozitës.
“Heqja dorë nga mandatet ishte e paprecedentë dhe gjithçka amë pas është pasojë e kësaj. Tradhtia më e madhe që mund t’i bësh elektoratit është të dalësh në rrugë. Gjithçka tjetër është rrjedhë e këtij akti vetëvrasës dhe po aq atentator i demokracisë.
Të heqësh dorë nga përgjegjësia nuk është sakrificë, por është t’i rrëshqasësh përgjegjësisë. Nëse i shmangesh provimit, atëherë pse ke hyrë në universitet. Mazhoranca nuk është aspak e lumtur që rivali politik e ka lënë garën në mes”.
Kumbaro u shpreh se marrëveshja e majit të vitit 2017 me opozitën ishte e gabuar, pasi sipas saj krijoi precedent.
“Nëse ka një moment që mbase nuk duhet ta kishim bërë sepse ajo krijoi një precedent, ishte marrëveshja e majit të vitit 2017. Besoj se ajo marrëveshje krijoi precedentin e rrezikshëm, ku opozita tha ne dalim në rrugë”, tha Kumbaro. (A2 Televizion)