Kumbaro për Ligjin e Medias: Rekomandimet e Venecias pasqyrohen pikë për pikë, gjobat janë proporcionale

Nga A2 CNN
1 Tetor 2020, 09:31 | Aktualitet
Kumbaro për Ligjin e Medias: Rekomandimet e Venecias pasqyrohen pikë

Ish-ministrja e Kulturës dhe deputetja e PS-së, Mirela Kumbaro, e ftuar në “Dita jonë”, flet për ligjin e medias, si kryetare e grupit të punës për të rishikuar versionin final të tekstit të projektligjit.

Ajo specifikon se “në 2019 u mor iniciativa për të rishikuar ligjin e vitit 2013, pra nuk po bëjmë ligj të ri. Nevoja për rregullim nuk është shqiptare, por mbarë botërore. Jo më larg se 4 ditë Komisioni Europian miratoi një paketë ligjesh anti-dezinformim dhe aty më bëri përshtypje një fjali, dezinformimi vret”.

Komisioni i Venecias në rekomandimet e saj ka hedhur dyshime në veçanti për pavarësinë nga politika e institucioneve si AMA, që duhet të rregullojnë mediat. Në qershor pas rekomandimeve është formuar një grup i përbashkët i Komisionit të Ligjeve dhe Medias, me përfaqësi të AMA-s , Avokatit të Shtetit, RTSH, etj.

Sipas Kumbaros, “që në momentin e parë ky grup ka përkthyer në nene rekomandimet e Venecias, duke punuar ngushtësisht me përfaqësuesit e Këshillit të Europës dhe të Delegacionit Europian. Rekomandimet e Venecias do të jenë udhërrëfyesi ynë dhe do të reflektohen pikë për pikë, ndër to edhe qasja proporcionale për gjobat, në përpjesëtim të drejtë me xhiron vjetore”.

Problematika më e madhe për kundërshtuesit e Ligjit ka qenë mospërfshirja e gazetarëve. “Ka një radhë të punëve, deri sa të miratohet në Parlament ka shumë punë për t’u kryer”, thotë Kumbaro që shton se ligji i vitit 2013 nënkuptonte një ujdi midis forcave politike, që sipas saj nuk duhet të ekzistonte.

“Personalisht nuk e gjej të shëndetshme këtë ujdi. Ne do të rregullojmë edhe AMA-n, duke ngritur shkallën e saj të pavarësisë, ku kryetari i AMA-s mos të ketë mbështetjen e një organizate ose partie”, deklaroi ajo për A2.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos