Futbolli nuk është një pasion vetëm për fëmijët dhe adoleshentët, të cilët ëndërrojë të luajnë me skuadra të mëdha, por edhe i të moshuarve. Gëzim Jatagani është një nga ata persona që nuk njeh moshë e as paragjykim. Ai rrëfeu historinë e tij në emisionin “Hotspot” në A2 CNN, nga gazetari Armend Pire. Gëzimi është 72 vjeç dhe xhonglon topin si të ishte djalë i ri, teksa penalltitë i ekzekuton si të ishte lojtar profesionist. Ai thotë se nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë ekipi më herët dhe as e ndonjë akademie.
“Dëshira për futbollin më ka lindur që fëmijë, teksa luanim me shokët në lagje. Asokohe nuk kisha mundësi të shkoja në ndonjë ekip moshash pasi koha ishte e tillë. Më vonë shkova ushtar dhe pas ushtrisë u detyrova të hyj në punë pasi nga ekonomia ishim shumë dobët. Duhet të punoja shumë. Gjatë gjithë këtyre viteve nuk m’u krijua asnjë mundësi për të provuar veten në ndonjë ekip dhe kështu pasioni për futboll mbeti gjithmonë i pazhvilluar” – tha 72-vjeçari për A2 CNN.
E me gjithë vështirësitë e jetës Gëzimi nuk e harroi pasionin për futbollin. Vitet kaluan, ai u thinj, u bë gjysh, dhe sërish mendjen e kishte te futbolli dhe topi.“Për shumë vite shkova në emigrim në Greqi. As atje nuk kisha mundësi të luaja futboll pasi shkova të punoja. U ktheva nga emigrimi rreth moshës 60 vjeç, u ktheva në Berat. As top nuk kisha atëherë, ma dhuroi dikush një top të vogël dhe nisa të stërvitem sërish. Më shihnin moshatarët e mi, më paragjykonin, thoshin: Po ky në pleqeri do të luajë futboll? Por unë nuk i dëgjoja. Vazhdoja stërvitesha” – tregon Gëzim Jatagani.
Sot ai është i gatshëm të sfidojë edhe lojtarët më të mirë për gjuajtjen e penalltive, i frymëzuar nga legjenda e futbollit brazilian Ziko. Një sfidë ja ka bërë edhe Silvinjos, trajnerit të Kombëtares, për ta parë sesi ai ekzekuton penalltitë. Gëzimi kërkon të jetë shembull për të rinjtë, pse jo edhe të jetë pjesë e Kombëtares si këshillues për sulmuesit kuq e zi.
“Idhulli im është Lorik Cana. Ka qenë lojtar me disiplinë. Kam dëshirë ta takoj, pasi vetëm një herë kam bërë foto me të. Edhe me Silvinjon kam një foto dhe kam dashur ta sfidoj në gjuajtjet e penalltive. Për të parë kush është më i mirë, Ziko i Brazilit apo ‘Ziko’ i Shqipërisë, pra unë. Te Kombëtarja penalltitë duhet t’i gjuaj Asllani dhe Broja, pasi kanë teknikë të veçantë. E kam ëndërr të jem pranë Kombëtares, ta shoh në stadium po pse edhe mos të jem në ekip për këshilla” – tha 72-vjeçari.
Në Berat, Gëzim Jataganin e njohin të gjithë. Klodian Arbëri, trajneri i ekipit të Tomorit, thotë se shpesh ai i frymëzon djemtë e ekipit pikërisht me 72-vjeçarin, pasi thotë se është shembull i disiplinës dhe stërvitjes që kërkon futbolli. Gëzim Jatagani, mjeshtri i penalltive dhe modeli që çdo i ri duhet të ndjekë. (A2 Televizion)