
Stivat e dosjeve që iu duhen vite për të parë dritën e gjykimit janë kthyer në një normalitet në gjykatat shqiptare. Këtij normaliteti të pazakontë nuk i ka shpëtuar as Gjykata e Apelit Administrativ.
“Aktualisht në gjykatën Administrative të Apelit janë rreth 14500 dosje të cilat presin për t’u gjykuar nga ana e kësaj gjykate. Shifra aktuale është më e larta që nga krijimi”, deklaroi kreu i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita.
Sipas titullarit Selita, kjo ngarkesë është akumuluar ndër vite dhe shkaku kryesor është numri i ulët i gjyqtarëve në këtë gjykatë, i vetmi Apel Administrativ në gjithë vendin.
“Numri i gjyqtarëve është i tillë që nuk mund të përballojë numrin e çështjeve që vijnë në një periudhë 1-vjeçare. Aktualisht në këtë gjykatë janë duke u shqyrtuar çështje të vitit 2016, 2017, 2018, 2019 dhe 2020”, shtoi Selita
Por si mund të zgjidhet kjo problematikë?
“Duhen të zbatohen njëherësh dy instrumente për ta zgjidhur situatën. Si shtimi i numrit të gjyqtarëve në këtë gjykatë dhe njëkohësisht për të evaduar gjendjen e stokut do të duhej që paralelisht të zbatohej dhe skema e delegimit”, tha drejtuesi Selita.
Situata aktuale nuk ngjan aspak me përcaktimit në ligj, sepse çështjet në Administrative duhet të përfundojnë gjykimin brenda 30 ditëve.
Rol në tkurrjen e numrit të gjyqtarëve ka dhënë edhe procesi i vetingut, i cili ka larguar tre gjyqtarë nga Apelit Administrativ duke lënë në të vetëm 9 gjyqtarë. (A2 Televizion)