Kundër reformës në gjyqësor, mijëra vetë në protestë në Izrael, rrethojnë pallatin presidencial

Nga A2 CNN
27 Mars 2023, 10:56 | Bota

Dhjetëra të arrestuar, të tjerë të plagosur e rrugë të bllokuara me mijëra vetë që protestuan mbrëmë në Tel Aviv, në një nga protestat më të mëdha kombëtare, kundër reformës gjyqësore. Protesta pati edhe në qytete të tjera, me demonstruesit që bllokuan rrugët, me thirrjet për demokraci. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës e ujë për të shpërndarë protestuesit, duke arrestuar dhjetëra prej tyre. Ndërsa në Jerusalem, protestuesit u mblodhën para pallatit presidencial.

Koalicioni qeverisës tha se reforma në gjyqësor është e domosdoshme për të rikthyer balancat. Por opozita dhe mijëra protestues kanë dalë për 10 javë në protesta të vazhdueshme kundër kësaj reforme, që sipas tyre, synon të shkatërrojë bazën e demokracisë së shtetit, në favor të qeverisë së Netanjahut dhe koalicionit të tij qeverisës.

Kryeministrit Benjamin Netanjahu, në gjyq për korrupsion, akuza të cilat i mohon, është nën presion edhe nga brenda vetë koalicionit të tij. Plani për reformim të sistemit gjyqësor, u njoftuan më 4 janar, duke e futur vendin në një nga krizat më të këqija politike që Izraeli ka parë vitet e fundit, me protestat që duket se nuk do të ndalen, duke shkaktuar paralajmërime të forta edhe për një krizë të rëndë ekonomike. 

Sipas mediave izraelite, 200 mijë vetë dolën në protestë dje vetëm në Tel Aviv, ndërsa mijëra të tjerë protestuan në mbarë vendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos