
Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re, Nanaia Mahuta, i shprehu shqetësimin Kinës për çdo ndihmë që mund të jepet për të mbështetur Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, nisur më shumë se një vit më parë.
Ky shqetësim vjen disa ditë pasi presidenti kinez, Xi Jinping, përfundoi udhëtimin e tij në Moskë, një takim i ngrohtë në të cilin ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, vlerësuan njëri-tjetrin dhe folën për një miqësi të thellë.
Mahuta është kreu i parë i diplomacisë së Zelandës së Re që udhëton në Pekin që nga viti 2018. Për luftën në Ukrainë që këtë të diel mbush 395 ditë, ajo përsëriti dënimin e qeverisë së saj për “pushtimin e paligjshëm” të Moskës homologut të saj Qin Gang.
Përveç kësaj, Zelanda e Re i kërkoi Kinës që të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për të siguruar tërheqjen e forcave të saj të armatosura dhe përfundimin e luftës.
Kina është partneri më i madh tregtar i Zelandës së Re dhe eksportuesit e Zelandës së Re mbështeten në Kinë për produktet e tyre të qumështit. Në fakt, tregtia dypalëshe midis dy vendeve u rrit nga 4,4 miliardë dollarë në vitin 2008 në 18,1 miliardë dollarë në vitin 2020.
Mahuta shprehu edhe shqetësimin e saj për situatën e të drejtave të njeriut në Kinë dhe tensionet në rritje me Tajvanin, që jeton nën kërcënimin e vazhdueshëm të pushtimit kinez, i cili konsideron se ishulli është pjesë e territorit të tij dhe ka premtuar publikisht në raste të përsëritura se një ditë do të kthehet nën kontrollin e tij. Shfaqjet e forcës së Pekinit janë intensifikuar vitet e fundit nën presidentin Jinping dhe pushtimin rus të Ukrainës, gjë që ka rritur frikën e Tajvanit për një pushtim kinez. (A2 Televizion)