Kundërpërgjigje ndaj karteleve të drogës, batalioni me 1500 ushtarë nis patrullimin e plazheve

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2021, 09:47 | Bota

Një batalion me 1500 ushtarë të Gardës Kombëtare ka nisur më në fund të patrullojë qytetin turistik meksikan të Kankunit (Cancún) pas një vale krimesh të dhunshme të kryera nga kartelet e drogës, ku të paktën dy turistë kanë mbetur të vrarë aksidentalisht.

Forca elitare nisi që të enjten patrullimet e para në disa zona të nxehta dhe në plazhe, të cilat deri para pak kohësh ishin skena të përgjakshme krimi.

Batalioni i Sigurisë së Turistëve, siç edhe është quajtur, u paralajmërua se do të futej në veprim muajin e kaluar, nga presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador, pasi dy turiste të huaja mbetën të vrara nga përleshjet mes bandave, çka dëmtoi rëndë imazhin e destinacionit turistik.

“Vendimi është i vonuar. Turistët kanë kohë që vriten ose plagosen nga luftimet që ndodhin në këtë zonë dhe vendimi duhet të ishte marrë më shpejt”, tha për “Daily Mail” Robert Almonte, ekspert për organizatat kriminale ndërkombëtare dhe ish-Marshall i Shteteve të Bashkuara.

Që prej muajit shtator, në Meksike kanë humbur jetën të paktën 21495 persona në incidente të dhunshme mes grupeve kriminale, prej tyre vetëm 442 janë regjistruar në shtetin Quintana Roo, ku ndodhet edhe Kankuni. Qyteti turistik vizitohet çdo vit nga rreth 20 milionë turistë, duke qenë një kontributor i madh në ekonominë e Meksikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos