
Manchester United u kualifikua pa probleme në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës në Angli, e njohur ndryshe si Carabao Cup. Një vend mes katër më të mirave të turneut, e siguroi edhe Newcastle, që dominoi përballë Leicester City.
United nuk pati asnjë vështirësi ndaj Charlton, me sfidën në “Old Trafford” që përfundoi me rezultatin 3-0. Antony zhbllokoi ndeshjen me një kryevepër, pas vetëm 21 minutave lojë.
Triumfi u vulos nga i zakonshmi Rashford, me dy gola të realizuar në minutën e 90-të dhe më pas në fundin e kohës shtesë. Në këtë mënyrë, Djajtë e Kuq kaluan në gjysmëfinale, teksa përralla e Charlton përfundoi në çerekfinale.
Sukses i rëndësishëm edhe ai i Newcastle, që mposhti 2-0 Leicester. Burn pas një ore lojë kaloi në avantazh bardhezinjtë, teksa Joelinton në të 72-ën dyfishoi shifrat duke mbyllur çdo diskutim.
Manchester United dhe Newcastle tashmë presin të mësojnë dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste, që do të dalin nga ndeshjet Southampton-Manchester City dhe Nottingham Forest-Wolverhampton. Çiftet gjysmëfinale do të përcaktohen më pas me short të lirë. (A2 Televizion)