
Rrugëtimi në Champions duket pranë fundit, ndërkohë që misioni i titullit është shumë i vështirë. Megjithatë, Barcelona mund të shpëtojë në një farë mënyre sezonin nëpërmjet Kupës së Mbretit.
Blaugranët bënë mrekullinë duke përmbysur humbjen 2-0 të takimit të parë në gjysmëfinale kundër Seviljas dhe “Camp Nou” ia doli të fitojë 3-0 në kohën shtesë.
Sfida e kthimit dhuroi emocione të forta, dhe nisi menjëherë me gol, me Dembele që rindezi shpresat e Barçës në minutën e 12. Pjesa e dytë nis me të njëjtin rezultat. Sevilja ndërron thuajse të gjithë mesin e fushës për të reaguar dhe shansi vjen në të 73-tën, por Ocampos gabon nga pika e bardhë mundësinë e artë që mund të kishte mbyllur kualifikimin.
Barcelona beson deri në fund, dhe në përpjekjen e fundit për të shënuar, ia del me sukses, me Pique që ngrihet mbi të gjithë në zonë dhe dërgon topin në fundin e rrjetës. Ndeshja i drejtohet shtesave, atje ku katalanasit kanë padyshim motivimin dhe kurajon më të madhe.
Vetëm pas 5 minutash, Braithwait realizon edhe golin e tretë, që vlen kalimin në finalen e Kupës së Mbretit atje ku Barcelona do të duelojë për trofeun mes Atletik Bilbao dhe Levante. (A2 Televizion)