
Kjo mesjavë ia lë vendin Kupës së Shqipërisë me ndeshjet e para gjysmëfinale.
Tirana pret në Elbasan Teutën e Edi Martinit. Durrsakët e shohin këtë trofe si shpëtimin e vetëm të sezonit, ndërsa bardheblutë nuk kanë objektiv vetëm titullin kampion. Siç thekson dhe trajneri Orges Shehi, skuadra do të luftojë për të dyja frontet.
“Është pika kulminante e sezonit, kur kërkon të marrësh frytet e punës. Sigurisht, kemi ngarkesë edhe nga kupa, por me kontingjentin e lojtarëve që kemi do të rekuperojmë energjitë, pas ndeshjes me Vllazninë. Teuta ka qenë ekip që na ka vënë në vështirësi, por shpresojmë që këtë radhë ta vëmë ne në vështirësi”, tha Shehi.
Ndeshje e fortë është dhe ajo mes Vllaznisë dhe Egantias. Dy ekipe rivale për një vend në Europë e shohin Kupën si rrugën më të shkurtër për të arritur objektivin. Shkodranët kërkojnë të mbrojnë Kupën e sezonit të kaluar, ndonëse përballë rrogozhinasve statistikat për këtë sezon nuk janë në favorin e tyre,
Të dyja sfidat do të luhen, këtë të mërkurë, në orën18:00. (A2 Televizion)