15 vjet Pavarësi! Kosova feston përvjetorin mes arritjesh dhe sfidash

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2023, 09:20 | Kosova
15 vjet Pavarësi! Kosova feston përvjetorin mes arritjesh dhe sfidash

Kosova feston sot 15-vjetorin e Pavarësisë. Festë do të ketë në fakt edhe për të gjithë shqiptarët, edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo ku flitet shqip.

Si sot 15 vite më parë, ai mëngjes i ftohtë i të dielës së 17 shkurtit, gjeti këdo, të madh e të vogël, në dëlir për festën e gëzimin që do të vinte gjatë ditës, me politikën që po mendonte detajet e fundit, edhe ajo mes emocionesh, me qytetarët që kishin mbushur rrugët e Prishtinës, me Kuvendin që po bëhej gati për seancën solemne, ku Kosova do të shpallej, më vonë atë ditë, shtet i lirë dhe i pavarur.

Flitej prej ditësh për mëvetësinë. Por askush nuk kishte konfirmuar as orë dhe as një agjende publike zyrtare. Shumë ndryshe nga sot, kur të gjithë duket se i kanë gati fjalimet dhe përgatitjet që kanë nisur më herët. Përsëri ndryshe nga sot, fjalori politik atë 17 shkurt ishte më i kontrolluar. Ajo që nuk ka ndryshuar nga ai 17 shkurt gjer më sot, pas 15 vitesh, është prania e ushtarëve të KFOR-it përsëri në terren, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Kështu, mes zhurmës së vazhduar të politikës së brendshme në Prishtinë, mes përplasjeve e debateve në dhjetëra raunde dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ulje e ngritje të toneve përballë njëra-tjetrës, me bllokime të rrugëve e tensioneve të vazhdueshme në veri, ku Kosova ende ka ngërç të shtrijë pushtetin e autoritetin e saj, shteti u bë sot 15 vjeç.

Sfidat aktuale, më shumë se kurrë, janë po ato. Njohja reciproke, dialogu, veriu, marrëdhënie me Serbinë, Asociacioni dhe përsëri ndërkombëtarët në mes, si ndërmjetësues.

A2 CNN do të flasë sot për atë 17 shkurt dhe këtë 17 shkurt, përmes zërit dhe kujtimeve të personazheve të asaj kohe.

Do të jemi në transmetim maratonë sot nga Tirana në Prishtinë. Na ndiqni (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/17/agjenda-shteterore-per-diten-e-pavaresise/

A2 CNN Livestream

Latest Videos