Kurora shkon në Indi, shpallet fituesja e Miss Universe 2021

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2021, 09:56 | Bota
Kurora shkon në Indi, shpallet fituesja e Miss Universe 2021

Kurora e më të bukurës së universit, këtë vit, shkon në Indi dhe i përket Harnaaz Sandhuu. Në vendin e dytë u rendit Miss Paraguai Nadia Ferreira, e ndjekur nga Miss Afrika e Jugut.

Edicioni i 70-të i konkursit u mbajt mbrëmjen e së dielës në Izrael, në qytetin turistik të Eilat, me 80 vajza nga e gjithë bota që konkurruan për kurorën e më të bukurës. Këtë vit, vendi ynë u përfaqësua denjësisht nga Ina Dajci.

Në një fjalim në skenë gjatë konkursit, Sandhu u kërkoi të rinjve "të dinë se janë unike dhe të mos e krahasojnë veten me të tjerët, ndërsa dha edhe një mesazh për ndryshimet klimatike.

Harnaaz me profesion aktore rrëfen se për rrugëtimin e saj është frymëzuar nga e ëma e cila theu rregullat e patriarkatit për t'u bërë një gjinekologe e suksesshme.

Ajo e konsideron veten një avokate të fortë për fuqizimin e grave, veçanërisht në të drejtat e tyre kushtetuese për arsimim dhe karrierë.

"Ndihem e nderuar sepse kanë kaluar 21 vjet që kur India mori kurorën e Miss Universe dhe kjo po ndodh përsëri tani. Jam mirënjohëse ndaj kujtdo që më mbështeti dhe besoi tek unë. Jam gati të marr përgjegjësinë e kurorës tani", u shpreh ajo.

Konkursi u drejtua nga komediani Steve Harvey dhe është i dyti i organizuar në kushtet e Covid-19. Eventi u shoqërua me polemika politike dhe me disa vende si Afrika e Jugut që bënë thirrje për bojkot. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos