
Euro e ka mbyllur këtë javë me rënien më të fortë të regjistruar këtë vit, teksa sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ka humbur plot 2.5 lekë.
Valuta evropiane fiksohet në kuotën e 105.6 lekëve, teksa 1 muaj më parë varionte në kufijtë e 111 lekëve, një rënie me 4.8%.
Mbiçmimi i lekut është ndjerë tek thuajse të gjitha valutat e tjera, duke nisur nga dollari amerikan, që zbriti sot në 98 lekë dhe paundi britanik nën 123 lekë.
Zhvlerësimi i valutave gjatë kësaj jave përkon edhe me procedurat e qeverisë për emetimin e eurobondit prej 600 milionë eurosh në treg, 100 milionë euro më shumë se sa parashikimi fillestar.
Kjo i bën agjentët të presin një likuiditet më të madh të valutës përgjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërsa sigurisht nuk përjashtohet as efekti psikologjik.
Teksa rënia e fortë e euros ka humbës dhe përfitues, elementët pozitivë duket se po shijohen vetëm nga tregtarët dhe më pak nga ata që kanë kredi në euro.
Por për eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve, ata që kanë depozita në valutë dhe familjet që marrin para nga emigrantët, rënia po përkthehet javë pas jave në më pak të ardhura në dispozicion. (A2 Televizion)