Kursi prek tregtinë e jashtme, euro dhe çmimet fshijnë 20% të eksporteve në prill

Nga A2 CNN
19 Maj 2023, 17:36 | Ekonomi
Kursi prek tregtinë e jashtme, euro dhe çmimet fshijnë 20%

Tregtia e jashtme është ngadalësuar ndjeshëm në katër e muajt e parë të vitit, si për eksportet po ashtu edhe për importet. Instituti i Statistikave ka regjistruar 20% më pak mallra të prodhuara në Shqipëri të transportuara drejt vendeve të tjera për muajin prill si pasojë e zhvlerësimit të euros dhe rënies së çmimeve në tregjet botërore të produkteve.

Vlera e eksporteve arriti në 34 miliardë lekë, duke pësuar ulje me 19.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Në këtë vlerë tkurrjen më të fortë në eksporte e kanë materialet e ndërtimit dhe metalet ndjekur nga grupi i mineraleve, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Rënie ka pasur edhe për grupin e tekstileve dhe këpucëve.

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve, Alban Zusi, thotë se kompanitë shqiptare kanë raportuar një humbje mbi 100 milionë euro deri më tani.

“Pjesa e munguar vetëm gjatë 2-3 muajve të fundit nga rënia e euros me 3.4% është e barabartë me afro 3 herë tatim fitimin që paguan një biznes eksportues. Nëse bizneset e kanë tatim fitimin 15% ajo çfarë u mungon bizneseve eksportuese është e barabartë sikur tatim fitimi i këtyre bizneseve të kishte vajtur 45%.”

Alban Zusi, Kreu i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve

Në 4 muaj, eksportet e mallrave llogariten në 156 miliardë lekë, në rënie me 3.4 %, ndërsa ulje të lehtë ka edhe tek importet e mallrave në një vlerë totale prej 283 miliardë lekësh.

Teksa parashikojnë një rënie të mëtejshme të euros, sipërmarrësit i druhen sezonit turistik për një rëndim të situatës si për eksportet po ashtu edhe për importet.

“Kur tregjet kanë funksionuar normalisht periudha e turizmit e ka ulur euron jo më shumë se 1-2 lekë. Kështu që nëse do të kishim një zhvlerësim me 10-20 lekë të vjetra edhe pranohet cdo zhvlerësim i mëtejshëm është i palogjikshëm, përsa kohë kemi tkurrje të bilancit tregtar nuk bën sens që ekonomia po rritet e po fuqizohet.”

Alban Zusi, Kreu i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve

Vendosja e një kursi këmbimi që nuk luhatet më shumë se 1% ose ndërmarrja e një politike kompensuese, janë masat që eksportuesit i kërkojnë qeverisë. Në 4 muajt e parë të vitit, Shqipëria eksportoi më pak drejt Italisë, Gjermanisë dhe Kinës, ndërsa tregtia rezulton në rritje me Greqinë, Kosovën dhe Spanjën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos