"Begaj vasal i Ramës"- Bled Koka sulmon Presidentin: I shërben kryeministrit

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 21:01 | Politikë

Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin Off the Record në A2 CNN nga Andrea Danglli, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin e Erion Veliajt. Sipas Kokës, ky vendim konfirmon se presidenti Bajram Begaj ka marrë një akt antikushtetues për llogari politike.

“Sot kemi një president që mori një vendim antikushtetues, jo për keqllogaritje, por për llogari politike. Ai nuk është më president i Republikës, por shërbëtori dhe vasali i Edi Ramës,” deklaroi Koka.

Gazetari shtoi se me këtë vendim është plotësuar një nga pikat e padisë për shkarkimin e presidentit, që opozita ka paralajmëruar.

Koka theksoi gjithashtu se vendimi i Kushtetueses i garanton Veliajt qëndrimin në detyrë deri në vitin 2027, por sipas tij, kryebashkiaku mund ta përfundojë mandatin edhe nga burgu.

“Një nga arsyet pse Veliaj mbahet në burg nuk lidhet vetëm me dosjen, por me faktin që ka tentuar të ndikojë te prokurorët, gjyqtarët dhe dëshmitarët, madje edhe të manipulojë opinionin publik përmes mediave që kontrollon,” u shpreh Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos