Deputeti demokrat Arjan Ndoja ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi shkarkimin e Erion Veliajt. I ftuar në emisionin Off the Record në A2 CNN nga Andrea Danglli, Ndoja e cilësoi deklaratën e Ramës, ku ai tha se “Veliaj duhet liruar që të shërbejë qytetarëve”, si një përpjekje për të ndikuar dhe intimiduar drejtësinë.
“Në pikën e tretë të deklaratës së Ramës, shihet qartë një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai i thotë në mënyrë të tërthortë gjyqtarëve: nëse s’e quajtët shkarkimin të drejtë, atëherë pse e mbani në burg? Lëreni të kthehet në detyrë,” deklaroi Ndoja.
Deputeti i PD-së theksoi se Rama, ndonëse përpiqet ta paraqesë si qëndrim institucional, po tenton të përdorë vendimin e Kushtetueses për t’i dhënë legjitimitet politik Veliajt, i cili ndodhet nën hetim për çështjen e inceneratorëve.
“Kryeministri po shfrytëzon një vendim juridik për qëllime politike. Ai po dërgon sinjale presioni ndaj sistemit të drejtësisë që të rishikojë masën e sigurisë ndaj Veliajt,” shtoi Ndoja.
Sipas tij, pavarësisht dallimeve politike, opozita është e qartë: kërkon që Veliaj të përballet me drejtësinë për akuzat ndaj tij, por jo duke u shkelur Kushtetuta.
“Ne nuk po e mbrojmë individin, por parimin kushtetues. Rama po tenton ta shndërrojë vendimin në një mjet presioni ndaj institucioneve,” tha Ndoja. (A2 Televizion)
