
“Ballkani Perëndimor është i hapur për NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore dhe mbështetemi te procesi i Berlinit”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një panel diskutimi në kuadër të forumit të Bratisllavës GLOBSEC 2022, ndërsa shprehu mbështetje për iniciativën e BE-së.
“E mbështesim iniciativën e BE-së me vlerat evropiane brenda dhe BE që të na ndihmojë por jo jashtë BE-së dhe më duhet të them që as orientimi politik e as ndjeshmëria politike nuk i besoj atij grupi politikanësh që besojnë tek vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi anëtarë sa më shpejt që është e mundur”, u shpreh kryeministri i Kosovës, teksa shtoi që Kosova pret përgjigje pozitive nga Këshilli i Evropës ku ka aplikuar për anëtarësim.
Ai akuzoi Serbinë se vazhdon t’i mohojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe kjo sipas tij është thelbi i problemeve mes dy vendeve.
“Kemi nevojë për një dialog që do të jetë parimor midis palëve të barabarta, për një marrëveshje ligjërisht detyruese për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar tek njohja e ndërsjellë. Fatkeqësisht Serbia po thotë që nuk do të na njohin kurrë dhe përtej kësaj as nuk i marrin parasysh, nuk i njohin krimet e kryera në të kaluarën, të jem i sinqertë kjo e dytë na ofendon shumë më shumë se e para. Këtu e shoh thelbin e problemit, mohimin e krimeve të së kaluarës, krimeve të luftës, gjenocidit e kështu me radhë”.
Kurti theksoi përpjekjet e Kosovë snë Bruksel për arritjen e disa marrëveshjeve me Serbinë
“Po përpiqemi shumë në Bruksel bashkë me zotin Lajçak që të arrijmë marrëveshje kur bëhet fjalë për targat e automjeteve me parimin e reciprocitetit, sa i përket energjisë elektrike në veri sepse energjia nuk paguhet atje nga serbët për shkak të strukturave ilegale atje të Serbisë por jo për shkak të qytetarëve, pastaj edhe zhdukjeve të detyrueshme ose zhdukjeve me forcë të njerëzve, kemi 1600 persona të pagjetur megjithatë Kosova është tregim i suksesshëm i luftës çlirimtare të popullit dhe punës së madhe që është bërë në njërën anë, por edhe ndihmës po ashtu nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. (A2 Televizion)