Kurti në Bruksel: Marrëveshja me Serbinë të miratohet shpejt dhe saktë

Nga A2 CNN
29 Mars 2023, 12:35 | Kosova
Kurti në Bruksel: Marrëveshja me Serbinë të miratohet shpejt

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet saktë dhe sa më shpejt. Ndërkohë që ka shtuar se me urgjencë është çështja e të pagjeturve në kuadër të saj. Kreu i qeverisë së Kosovës tha para mediave në Bruksel, se më 4 prill, do të diskutohet çështja e zbatimit të marrëveshjes.

"Takimi në javën e parë të prillit, që do të mbahet në Bruksel nuk do të jetë ndërmjet meje si kryeministër dhe presidentin e Serbisë, por do të jetë ndërmjet kryenegociatorëve. Më 4 prill në Bruksel, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra ka marrëveshje, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë dhe publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj. Prandaj edhe do të organizohet një takim ndërmjet kryenegociatorëve, ku nga ana e Republikës së Kosovës është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi”, ka thënë Kurti.

Ai ka komentuar deklaratën e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrel, se është urgjente themelimi i asociacionit, Kurti deklaroi se deklaratat politike nuk duhet të vendosen para marrëveshjes bazë.

"Së pari marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka mos të zbatohet. Ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm. Prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë, duke marrë pjeset e preferuara. Ndërkaq te fjala juaj që e përdoret urgjencë, është pikërisht tek fjalia e cila ka të bëjë me të pagjeturit, përkatësisht me të zhdukurit me dhunë... lexojeni tekstin, deklaratat politike të kujtdo qoftë janë për t'i shërbyer procesit. Mirëpo tash keni një marrëveshje, nuk keni nevojë të vendosni asnjë deklaratë e as prononcim publik politik të askujt mbi tekstin e marrëveshjes bazë apo të aneksit të zbatimit. Edhe një herë po e ritheksoj, fjala urgjencë është te çështja e të pagjeturve", ka përfunduar Kurti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos