Masakra në lagjen “Dardania”, Kurti: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën kriminale

Nga A2 CNN
27 Mars 2023, 16:08 | Kosova
Masakra në lagjen “Dardania”, Kurti: Serbia duhet të

Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë dhe prokuroria speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen e të nxirren para drejtësisë. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, pas homazheve me rastin e 24-vjetorit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ku theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për një paqe afatgjatë, siguri e marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, ku dihet se viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi e mbarë shoqëria jonë”, tha Kurti.

Bashkë me kryeministrin në homazhe pranë lapidarit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë ishin edhe kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari.

Në 27 mars të vitit 1999 paraushtarakët serbe ndanë burrat nga familjet e tyre në lagjen “Dardania”, i pushkatuan dhe hynë më pas në përshtëpi duke kryer masakra të rënda. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos