
U nënshkrua mbrëmë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit Marrëveshja e Administrimit të Pasurisë Kulturore të Butrintit. Kjo marrëveshje u parapri nga nënshkrimi i Protokollit të Bashkëpunimit mes Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë, si dhe Marrëveshja për grantin që angazhon AADF (Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim).
Nevoja për qasje të reja në menaxhimin e pasurive kulturore në Shqipëri ka qenë prioritet i autoriteteve shqiptare. Miratimi i ligjit për Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve në 2018, krijoi kornizën e duhur ligjore për të guxuar dhe ofruar modele të reja të menaxhimit përmes përfshirjes të donatorëve dhe partnerë të besueshëm që operojnë në Shqipëri. Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës së bashku me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë themeluar në shkurt të 2021 Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit.
Bordi i Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës e 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë, që do të sigurojë paanshmërinë e këtij bordi vendimmarrës është një figurë e njohur e trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për Richard Hodges, një nga njohësit më të mirë të Butrintit, me një kontribut të vyer në kërkimin shkencor ndërkombëtar, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar filantropie.
Një hap tepër i rëndësishëm është krijimi i Qendrës Kërkimore-Butrint Research Group, i cili do kryejë studime të fushave të ndryshme në të mirë të Parkut Kombëtar të Butrintit dhe përfshin aktorë të tjerë institucionalë nga Turizmi, Mjedisi, Instituti Arkeologjisë, infrastruktura.
Sipas Marrëveshjes së Administrimit Ministria, i jep Fondacionit të drejtën dhe detyrimin e administrimit të pasurisë kulturore (jo pronësinë) për një periudhë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi nëse modeli rezulton i suksesshëm. Në këtë aspekt Ministria e Kulturës do të angazhojë rreth 2 milionë USD, të mbledhura ndër vite në Butrint ndërsa Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF) do të angazhojë rreth 5 milionë USD në 7 vitet ardhshme. Të gjitha këto të fonde të kombinuara së bashku me afrimin e donatorëve të tjerë do të bëjnë të mundur realizimin e planit të biznesit për operimin sa më efektiv të Butrintit.
Butrinti është një nga peizazhet botërore arkeologjike, kulturore dhe ekologjike më të jashtëzakonshme, siç dëshmohet nga përcaktimet e tij si Sit i Trashëgimisë Botërore (1992), si Park Kombëtar (2000) dhe si Zonë Ramsar (2002). Ai është siti më i vizituar arkeologjik në Shqipëri, dhe ofron një peizazh mbresëlënës natyror dhe kulturor. Të gjitha aktivitetet që do të ndërmerren brenda kornizës së Marrëveshjes së Administrimit, do të synojnë pa asnjë diskutim ruajtjen e vlerave, që e bëjnë Butrintin unik në të gjithë botën. (A2 Televizion)