Ndalohen produktet e paketuara, Zvicra ndihmë Shqipërisë për ushqyerjen e shëndetshme të fëmijëve

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2021, 14:56 | Aktualitet
Ndalohen produktet e paketuara, Zvicra ndihmë Shqipërisë për

Në shkolla nuk do të lejohet konsumimi i produkteve të paketuara dhe të pashëndetshme për fëmijët.

Qeveria pritet të miratojë një marrëveshje me Zvicrën, e cila ka marrë përsipër për të mbështetur këtë nismë. Ndërkohë, projekti zviceran “Shkollat për Shëndetin” do të nisë zbatimin në 1200 institucione arsimore, kryesisht 9-vjeçare. Përfaqësuesi i qeverisë zvicerane theksoi rëndësinë e edukimit të brezit të ri “Bashkëpunimi midis Zvicrës dhe Shqipërisë në sektorin e shëndetësisë shënon sot një rrugëtim të ri: ne nisim përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar sjellje të shëndetshme me fokus të veçantë te fëmijët e shkollave. Kjo vazhdon punën tonë të përbashkët në kujdesin shëndetësor parësor përfshirë edhe përgjigjen ndaj Covid-19”.

Edhe dy përfaqësueset e qeverisë shqiptare, ministret përgjegjëse, ajo e Shëndetësisë dhe ministrja e Arsimit shprehën mbështetjen për nismën e Zvicrës. Në fakt, për ndalimin e ushqimeve të pashëndetshme në arsimin bazë ka dalë një urdhër, i cili vijon të injorohet si nga shkollat, ashtu dhe nga prindërit.

Më 14 korrik të këtij viti, 2 muaj para fillimit të vitit të ri shkollor, ministrja e Shëndetësisë dhe ajo e arsimit miratuan rregulloren për ushqimet e ndaluara në institucionet arsimore. Sipas urdhrit të botuar në fletoren zyrtare, në ambientet e shkollave fëmijët nuk duhet të konsumojnë ëmbëlsira të paketuara, çokollata të ndryshme, pije me gaz, pije energjike, patatina e të tjera produkte si këto. Pavarësisht këtij urdhri, fëmijët vijojnë të jenë të ekspozuar ndaj kequshqyerjes dhe pasojave që sjell ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos