
Ai është Alexander Boris Johnson, 55 vjeç, kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar. I lindur në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara në vitin 1964, do të kalonte një jetë mjaft të qetë duke përfunduar Shkollën Europiane në Bruksel dhe më pas ndryshimi i madh do të ndodhte gjatë studimeve në Universitetin e Oksfordit.
Boris zhvilloi një personalitet eksentrik, për të cilin u bë shumë i njohur. Jetën politike e nisi në vitin 2001 ku u zgjodh deputet, ndërsa deri më sot ka shërbyer edhe si kryebashkiak i Londrës dhe Ministër I Jashtëm.
Karriera e tij është e mbushur me gafa, gënjeshtra dhe skandale, të cilat kanë qenë shpeshherë mjaft të rënda. Në 2017-ën si ministër i Jashtëm, vuri në rrezik jetën e një shtetasje britanike, të ndaluar nga Irani për akuza spiunazhi. Gjatë viteve ai u bë i njohur dhe për komentet raciste ndaj grave myslimane, komunitetit LGBTI dhe njerëzve me ngjyrë, duke bërë dhe një koment ofendues për presidentin amerikan Barack Obama.
Përfshirja në fushatën pro Brexit, do të zbulonte një anë të errët të Boris Johnson. Ai mashtroi në raste të ndryshme, ku më i rëndë ishte pretendimi se Britania paguante ndaj BE-së 350 milionw paundë në javë. Gafa më e fundit ishte krahasimiI Unionit me Adolf Hitlerin.
Përveç jetës politike, edhe ajo private ka qenë mjaft e trazuar. 55 vjeçari është martuar dhe ndarë dy herë, për shkak të lidhjeve jashtëmartesore që kishte. Për ironi të fatit, kjo duhet se e bën të përshtatshëm dhe me përvojë për të drejtuar procesin e divorcit të Britanisë nga BE. Kohëve të fundit ai mori vëmendje mediatike edhe për një sherr që pati në qershor me partneren aktuale. Fqinjët dëgjuan të bërtitura dhe thyerje pjatash.
Përkundër të gjithë këtyre skandaleve, pozita e tij politike nuk u kompromentua asnjëherë, madje duket se forcoi kandidaturën për kryeministër. (A2 Televizion)