
Duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrojë Shërbimin për Këshillimin e Karrierës që në klasën e 9-të në të gjitha shkollat e vendit. Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Evis Kushi në një postim në rrjete sociale.
Sipas saj, qëllimi është orientimi i nxënësve që të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional, bazuar në përgatitjen e tyre, preferencat dhe kërkesat e tregut të punës.
Kushi theksoi se “ky shërbim do të mbështetet edhe në edukimin për karrierën, që tashmë është pjesë e kurrikulës së bazuar në kompetenca për të gjithë sistemin arsimor dhe që i ndihmon nxënësit për t'u orientuar drejt prirjeve dhe aftësive profesionale për menaxhimin e karrierës së tyre në të ardhmen”.
Nga muaji janar 2023 do të organizohen edhe panaire promovuese ku nxënës të klasave të 9-ta dhe prindërit e tyre të shohin dhe mësojnë nga afër rreth profesioneve që kanë shkollat profesionale.
Gjithashtu, shkollave 9-vjeçare do t’u jepet mundësia që të vizitojnë dhe bëjnë takime me shkolla profesionale për të folur rreth programeve profesionale.
Gjithashtu, do të realizohet edhe trajnimi i mësuesve për të bërë të mundur një shërbim sa më cilësor nga një staf i kualifikuar. (A2 Televizion)