
Presidenti Ilir Meta, më anë të një postimi në Facebook, u shpreh se “ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë”, duke iu referuar shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua. Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s'do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t'u zgjuar e bashkuar para se tirania t'i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re. Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndienë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët”, shkruan Kreu i Shtetit në rrjetin social.
“Të gjithë u ndienë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme. Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë. Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës më 17 maj?”, shton Meta në postimin e tij. (A2 Televizion)