
Zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe Kuvendi Kombëtar i thërritur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 11 tetor ishin temat kryesore që u diskutuan mbrëmjen e së enjtes në A2 CNN, në emisionin “Absolut 4” me Blendi Salaj.
Ish sekretari i Partisë Demokratike, Arben Ristani sqaroi mënyrën se si thirret Kuvendi i një parti, duke shtuar se në rastet kur atë e thërret anëtarësia, është vetë Kuvendi që verifikon dhe firmat e delegatëve.
Ristani deklaroi se Berishën nuk e pengon asgjë ligjore që të ketë ambicie për drejtimin e PD apo dhe postin e kryeministrit dhe u shpreh se këtë gjë do e vendosin demokratët me votë në 11 dhjetor, ku do të diskutohen dhe shumë çështje të tjera.
“Unë do të thoja që vërtetë partitë personifikohet shpesh herë me kryetarët e tyre, por ato nuk janë të kryetarëve, por të anëtarësisë. Berisha nuk ka asnjë pengesë ligjore apo statutore për të pasur ambiciet për t’u rikthyer në krye të PD apo të bëhet kryeministër. Çështja është nëse këtë do ta votojë anëtarësia. Sigurisht për këtë do të presim zhvillimet në PD dhe mbledhjen e Kuvendit ku do të diskutohet për këto çështje. Mund t’iu them që statuti parashikon dy rrugë të mbledhjes së kuvendit; një me organet e zgjedhura, kuvendi është një mekanizëm i lartë në hierarki. Këto mekanizma mund ta thërrasin mbledhjen e kuvendit për arsye të ndryshme. Kur anëtarësia mendon se organet nuk po e kryejnë funksionet ka dhe një rrugë tjetër që Kuvendi të vetëmblidhet. Statuti ka parashikuar që Kuvendi thirret nga ¼ e anëtarësi dhe statuti e parashikon që është po Kuvendi që verifikon firmat. Kjo ndodh në të gjithë botën”, tha Ristani.
Gazetarja e politikës, Jolldiz Mitro e konsideroi thirrjen e këtij Kuvendi të jashtëzakonshëm nga Sali Berisha si një ngjarje unike që po ndodh në 30 vite pluralizëm në vendin tonë.
“Ky është rasti i parë që përballemi me një kuvend të jashtëzakonshëm sikundër ai që ka kërkuar zoti Berisha dhe që ka mbledhur firmat. Por nuk është rasti i parë në pluralizmin demokratik në vendin tonë në këto 30 vite, ku ka pasur shkarkime dhe largime nga radhët e Partisë Demokratike. Ka qenë vetë Berisha kur e ka drejtuar PD që ka shkarkuar dhe përjashtuar jo pak figura me peshë. Është përjashtuar Eduard Islami, Tritan Shehu si kryetar i partisë. Nuk janë forma të ngjashme, por kanë thyer vijën e partisë. Ka pasur dhe largime që kanë zgjatur me vite, por që më pas Berisha i ka ricikluar”, tha Mitro. (A2 Televizion)