
Pretendimi i Sali Berishës për t’u bërë kryeministër, nuk shqetëson aspak socialistët, të cilët preferojnë të mos përzihen në situatën e brendshme të PD-së.
“Mesa di unë ata luftën e ka mes vetes. Edhe Basha kështu ka thënë. Por ne nuk përzihemi në punët e brendshme të PD se kë do kenë lider e dinë ata. Ndërsa për kryeministër të shohim pas 4 viteve”, u shpreh sekretari i PD, Damian Gjiknuri.
Nga Elbasani, Sekretari Përgjithshëm foli dhe për presidentin e ardhshëm, për zgjedhjen e së cilit socialistët do të dëgjojnë dhe Partinë Demokratike.
“Fryma e Kushtetutës është që të synohet një presidenti konsensual. Do të thotë që ne jemi të hapur edhe për propozimet që vijnë nga opozita. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi hapësirë për njerëz që mund të jenë mbi palët për të gjetur një figurë konsensuale dhe patjetër opozita ka një rol në këtë mes dhe këtë e ka bërë të qartë edhe Presidenti”, shtoi Gjiknuri.
Një derë hapur ia mbajnë opozitës edhe për reformën zgjedhore, ndonëse deri tani palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët as për ngritjen e komisionit parlamentar.
“Komisioni i reformës zgjedhore ka një standard, do të thotë që ka një standard të ndjekur nga të gjitha palët, që janë rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe çështjetë tjera që lidhen me amendimet e kodit zgjedhor”, përfundoi numri dy i PS.
Ngritja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore pritej të miratohej të hënën e kaluar, por u hoq nga rendi i ditës me kërkesë të PD-së, për shkak të mungesës së dakordësisë me socialistët. (A2 Televizion)