
Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, në një konferencë për shtyp u kundërpërgjigj ndaj Flamur Nokës, i cili më parë e kishte cilësuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, si “pengkryetar”.
“Historitë me pengje dhe pengmarrje do të duhet t’i bëjnë me seriozitet sepse po i flasin demokratëve në një moment të vështirë për ta. Ne e kemi për detyrim që të respektojmë sakrificën e tyre. Hallet e tyre personale t’i mbajnë larg selisë së partisë dhe mbështetësve”, deklaroi Bardhi.
Në lidhje me 4200 firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Bardhi u shpreh: “Nëse i kanë firmat, t’i depozitojnë në protokollin e Partisë Demokratike. Por, jeni vetë dëshmitarë, që deri në këto moment, në zyrën e protokollit nuk ka asnjë firmë të depozituar. Firmat nuk sillen me kuti të mbyllura dhe të thuhet “futini në kasafortë” në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar (Edi Paloka). Kryetari i Këshillit nuk ka zyrë, nuk ka as administratë dhe as staf për të kryer procese. Tani po na thuhet që të hyjmë te kasaforta e zotit Paloka për të parë janë apo nuk janë firmat”. (A2 Televizion)