
Ka nisur Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Forumi më i lartë drejtues i demokratëve u mblodh në kuadër të analizës së zgjedhjeve te 25 prillit që i lanë ata prapë në opozitë, ndërsa pritet miratimi i ndryshimeve në statut dhe votimi për Këshillin e ri Kombëtar.
Fjalën fillestare e ka marrë lideri i partisë Lulzim Basha, i cili zgjodhi fillimisht të sulmoi qasjen e palës fituese, duke akuzuar qeverinë Rama e cila sipas tij, në një kohe kur tërmeti dhe pandemia lanë shenja të thella në vend, “kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, i dha atyre vetëm propagande. Edhe kur fatkeqësia ra në Shqipëri, ata nuk e ulën babëzinë e tyre”.
Basha theksoi edhe njëherë se 25 prilli ishte një “masakër elektorale”, për të cilën sipas tij “Rama-Doshi kanë punuar ethshëm për interesat e tyre kundër interesave te njerëzve të thjeshtë ”, ndërkohë që sipas tij opozita nuk hoqi dorë nga “nga vlerat dhe mjetet e ndershme për politikë”.
Duke folur për atë që cilëson si metodat kriminale që çuan në fitoren e Partisë Socialiste, Basha mori një shembull.
“Mjafton të mendosh që Taulant Balla doli personi më i votuar në Shqipëri, si prova më e zezë e metodës kriminale me të cilën janë blerë votat dhe shantazhuar qytetarët, në një nga zonat që në këtë regjim është shndërruar në një nga nyjat e trafikut të drogës në rajon, sigurisht nën mbrojtjen e Edi Ramës”.
Për Bashën, “Partia Demokratike doli më kokën lart nga këto zgjidhje edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej u bë, ne dolëm më të fortë, duke ndezur shpresën që një Shqipëri më e mirë mund të bëhet. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjte e regjimit, as nga llumi i krimit që është garnitura e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që u janë turrur trupit te drobitur të Shqipërisë”.
Basha theksoi se “nuk jemi të përsosur dhe unë vetë nuk jam i pagabueshëm”, por “betejat tona ndër vite kanë qenë të drejta. Jemi zëri i qytetareve shqiptare. Ne denoncuam projektin e shndërrimit te Shqipërisë ne Kolumbinë e Europës, duke futur mijëra të rinj në rrugë të krimit”.
Basha propozoi edhe një platformë Qytetare për Demokracinë, ku sipas tij duhet të bashkëpunojnë të gjitha grupet shoqërore që kërkojnë ndryshim. : Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend”.
Pas fjalimit të liderit demokrat, Kuvendi miratoi propozimet për ndryshime statutore të Lulzim Bashës. (A2 Televizion)