
Parlamenti i ri nisi punën duke i kthyer mbrapsht ligjet e lëna pezull nga legjislatura e kaluar. 31 projektligje, nisma deputetësh apo të Këshillit të Ministrave, tani më nuk do të shqyrtohen nga shumica qeverisëse.
Konkretisht, draftet si amnistia fiskale, projekti i ligjit organik për presidentin e republikës apo ai për menaxhimin e integruar të mbetjeve janë kthyer mbrapsht në adresë të nismëtarëve, duke i hequr nga punimet e Kuvendit. Së bashku me nismat e qeverisë, nga punimet e Kuvendit janë aktet e propozuara nga deputetë të vjetër.
Nisma si amnistia e gjobave të vendosura për shkelje të masave anticovid, ai për referendumet apo edhe akti që kërkonte uljen e rrogave të deputetëve nuk u shqyrtuan asnjëherë nga Kuvendi i drejtuar nga Gramoz Ruçi dhe ai me në krye Lindia Nikollën vendosi të pastrojë sirtarët.
Ndryshe ka ndodhur me disa akte të cilat ndonëse janë depozituar që në 2020, janë lënë si pjesë e programit të punës së Kuvendit.
“Me këtë projektligj i është dhënë e drejta agjencisë që të ndërmarrë masa disiplinore ndaj subjekteve të këtij ligji”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Akti më i debatuar është ai për krijimin e agjencisë për mbikëqyrjen policore, e cila zëvendëson Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme ku parashikon edhe përgjime ndaj uniformave blu në kuadër për të luftuar korrupsionin apo parandaluar paligjshmërinë. Në total janë 31 nisma të kthyer mbrapsht dhe katër të rimarra sërish nën shqyrtim. (A2 Televizion)